Bursa ndërkombëtare për stazhe në parlament
Angazhoheni në jetën sociale, akademike apo politike të vendit tuaj? Dëshironi të merrni pjesë në mënyrë aktive dhe plot përgjegjësi në ndërtimin e së ardhmes së vendit tuaj? Keni dëshirë të vështroni mbrapa „kulisave“ të politikës dhe të përjetoni nga afër demokracinë?
Atëherë shfrytëzoni mundësinë për të marrë pjesë në programin e vetëm mbarëbotëror të Bundestagut Gjerman dhe të universiteteve të Berlinit dhe aplikoni për një bursë ndërkombëtare për stazhe në parlament (IPS).
Bundestagu Gjerman në bashkëpunim me universitetet e Berlinit u ofron çdo vit afërsisht 115 njerëzve të rinj të kualifikuar nga deri tani 25 vende mundësinë e vetme në botë për të kryer një praktikë disamujore pranë një deputeteje apo deputeti të Bundestagut Gjerman, dhe të njohin kështu procese vendimmarrëse të politikës gjermane dhe të mbledhin përvoja praktike në fushën e punës parlamentare.
Qëllimi i programit është të rrisë interesin e njerëzve të rinj për demokracinë dhe shoqërinë, të inkurajojë pjesëmarrjen e tyre në jetën demokratike dhe t’i entuziasmojë ata për këtë gjë. Bursa ndërkombëtare për stazhe në parlament (IPS) është një investim afatgjatë në forcimin e vlerave demokratike dhe të tolerancës, dhe një nxitje për larminë kulturore dhe bashkëjetesën paqësore në Evropë.
Vendet pjesëmarrëse aktualisht janë: Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Çekia, Estonia, Franca, Gjeorgjia, Hungaria, Kazakistani, Kroacia, Letonia, Lituania, Maqedonia, Moldavia, Polonia, Rumania, Rusia, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina.
Programi IPS fillon më 1 mars dhe zgjat gjithsej 5 muaj. Pjesa thelbësore e programit është një stazh prej tre muajsh e gjysmë në zyrën e një deputeteje/deputeti të Bundestagut. Përveç kësaj bursistët ndjekin seminare pranë pesë fondacioneve politike dhe kryejnë një program shoqërues akademik të organizuar nga tre universitetet e Berlinit.
Pjesëmarrëset dhe pjesëmarrësit marrin nga fondet e Bundestagut Gjerman një bursë mujore prej 450,-- €. Bursa përfshin dhe strehimin në një apartament tredhomësh, në të cilin banojnë nga dy bursiste/bursistë, si edhe marrjen përsipër të shpenzimeve për sigurimin shëndetësor, sigurimin në rast aksidenti dhe sigurimin e përgjegjësisë (sigurime për studentë). Pjesëmarrësve u rimbursohen shpenzimet e udhëtimit për në Berlin dhe të kthimit nga Berlini.
Informacione të mëtejshme mbi programin IPS dhe për aplikimin mund t'i gjeni në internet nën adresën: www.bundestag.de/ips
Ne ju ftojmë përzemërsisht të merrni pjesë në programin IPS dhe gëzohemi për aplikimin tuaj.